Anësori i Manchester United, Cristiano Ronaldo, pranon se ka simpati për kampionatin spanjoll, por shton se Liga Premier është më e fuqishmja në botë.
Portugezi më shumë se një vit lidhet me një kalim në kampionatin spanjoll, te Real Madridi, dhe ky tregim vazhdon edhe më tej, edhe pse Ronaldo këtë vit i bën ballë presionit në mënyrën më të mirë.
“Më pëlqen kampionati spanjoll, por ndjehem mirë në Angli dhe besoj se për momentin Liga Premier është kampionati më i fuqishëm në botë”, ka thënë Ronaldo.
Ronaldo ka folur edhe për kundërshtarin e sotëm të Ligës së Kampionëve, Barcelonën, duke thënë se në Olimpico do të tregohet se kush është klubi më i mirë.
“Barcelona ka një ekip të shkëlqyeshëm dhe tashmë e kam thënë se më pëlqen ta shoh lojën e tyre. E respektoj. Por në fund besoj se United është ekipi më i mirë dhe do ta tregojmë këtë në ndeshjen finale”, ka shtuar fituesi i Topit të Artë sezonin e kaluar.